Vërtet vapë ban. Pa kujt i duhet qymyri? – Glauk Tahiri

4411

Ambasada Amerikane që përdori 70 dosjet e deponuara në prokurori kundër Isa Mustafës (njëra ndër to kishte të bënte me naftën kancerogjene nëpër shkolla) për ta prishur VLAN-nin, tani po i përdorë matësit e ajrit për ta sjellur Contour Global-in. Që ajri është i ndotun në Prishtinë nuk duhen matësit për ta provuar. Për më shumë Komuna e Prishtinës tash e dy vite i ka vendosur matësit në kryeqytet me anë të së cilëve regjistrohet ndotja në çdo lagje, në çdo orë. Shumë mirë që më në fund po flitet për këtë ndotje, por kjo logjikë “THA AMERIKA” andaj duhet bërë, perveç se është pak e frikshme, është edhe e njëjtë me logjikën e pushtetit. Çka tash, “THA AMERIKA” edhe po e ndërtojmë termocentralin tjetër apo si?

Nëse ambasada amerikane ndihet e shqetësuar me ndotjen e ajrit, atëherë le të mos i përdorë dosjet që lidhin kompanitë e naftës me kryeministrin Mustafa për interesa të veta, apo të kompanive amerikane, por le t’i shtyjë ato përpara në gjykatë, për interes të vendit ku është vendosur si ambasadë. Fundja kjo do të shënonte ndoshta hapin e parë serioz dhe të sinqertë të kësaj ambasade në luftimin e korrupsionit.

Sa i përket atyre që e përcjellin statistikat e kësaj ambasade për ajrin e ndotur, le të mos flasin për vetura të vjetruara, për përdorimin e thëngjillit nëpër shtëpitë e njerëzve të zakonshëm. Le të flasin për kompanitë që importojnë naftë dhe që e shesin naftën me këtë cilësi. Le të flasin për shtëpitë e atyre që kanë vetura të markave të reja e që kanë sistemin e ngrohjes me po këtë naftë. Nëse e kanë njëmend shqetësimin për ajrin e ndotur në Prishtinë, atëherë le të mos flasin për termocentralin e ri që edhe sipas Ministrit të Ekonomisë tashmë do rezultojë në ngritjen e çmimit të energjisë elektrike e rrjedhimisht edhe në shtimin e përdorimit të thëngjillit në shtëpitë tona.

Ambasada Amerikane le të vazhdojë t’i vendosë matësit afër komunës së Kastriotit, fundja aty askush nuk ka bërë matje për cilësinë e ajrit, por le të flasë për ndotjen në atë komunë, le të flasë për jetën e atyre qytetarëve. Të tjerët që përcjellin këtë shqetësim, le t’i kuptojnë edhe ata qytetarë të Kastriotit që përveç se gjenden të rrethuar me katër kodra hiri, një deponi të mbeturinave në Mirash dhe një deponi të mbetjeve radioaktive të metaleve nga Trepça në Llazarevë, tashmë i gëzohen një ligji për të cilin më shumë se që kanë njohuri, kanë mosbesim se do gjejë zbatim. Le të flasin për qytetarët e Drenasit që vuajnë ndotjen e ajrit, helmimin e tokës dhe që e kanë të pamundur të flenë të qetë nga Feronikeli. Le të flasin për qytetarët e Kaçanikut që vuajnë ndotjen e ajrit nga Sharrcemi dhe për investitorët Envidity e Sharrcem që me ndihmën e kësaj qeverie, në emër të krijimit të 80 vendeve të reja të punës duan ta ndotin ambientin edhe në rrafshin e Dukagjinit.

Sa i përket Bashkimit Evropian dhe ‘Standardet’ që kjo bashkësi imponon tek shtetet e pazhvilluara, bëni një kërkim dhe shikoni se sa i bën Bashkimit Evropian për qytetin e Tetovës që është qyteti më i ndotur në Evropë dhe i dyti për nga ndotja në botë. Bashkimi Evropian nuk e thotë asnjë fjalëpër atë qytet, e krejt çfarë duhet dhe çfarë qytetarët e asaj komune kërkojnë është të vihen filtra në fabrikën e Jugohromit. Bëni një hetim për investimet e Bashkimit Evropian për këtë çështje në Republikën e Kosovës dhe shihni se si i vetmi investim që Bashkimi Evropian ka bërë në Komunën e Kastriotit është propozimi “(Ndihma Evropiane/133749/C/SERXK, me numër të kontratës 2013/330-096)“ që parasheh ndërtimin e një deponie në Komunën e Kastriotit ku do të mblidheshin të gjitha mbetjet e materialeve radioaktive që gjinden në Republikën e Kosovës.

Meqë jemi tek matjet, thjesht bëjeni një matje mes vizitës së Kryeministrit Mustafa në Berlin në korrik të vitit 2015[1] ku në takim me Kancelaren Angela Merkel u diskutua interesimi i një kompanie gjermane për ta renovuar Termocentralin “Kosova A”  dhe deklaratës së Sekretarit Amerikan John Kerry në dhjetor të vitit 2015[2]  ku nga aeroporti ndërkombëtar “Adem Jashari” foli për ndërtimin e termocentralit të ri nga kompania Contour Global dhe do e vëreni avantazhin e këtij të fundit dhe gjithë këta zëra shqetësues që e miratojnë këtë zhvatje të radhës.

Ndotja e ajrit duhet të na shqetësojë të gjithëve, por zgjidhja në asnjë mënyrë nuk duhet kërkuar tek ndërtimi i një termocentrali të ri nga kompania amerikane “Contour Global” ngase pavarasisht teknikës moderne të prodhimit, filtrave e gjithë atyre pajisjeve të reja ndotje do të ketë prapë, e për më shumë edhe ngritje të çmimit të energjisë elektrike, rrjedhimisht rritje të përdorimit të thëngjillit nëpër shtëpi tona.

Për ajrin e ndotur duhet të flasim e protestojmë, por pa bërë propozime në emër të një ambasade që presionin ndaj qeverisë për këtë çështje e ka afatshkurtër deri në realizimin e projektit të termocentralit të ri. Çdo nismë në betejën për ajër të pastër bëhet e drejtë dhe serioze kur fillon me inspektimin dhe hetimin e importuesve të naftës në vend. Kur këto kompani hetohen dhe kontrollohen atëherë mund të flasim edhe për veturat dhe thëngjillin e njerëzve të zakonshëm. Fundja, vapa globale mund të mos e shqetësojë Trump-in, por qymyri në duar të Contour Global duhet të na shqetësojë neve.

[1] “Kosova A”, mes shuarjes dhe gëlltitjes së qindra milionëve të tjerë,  http://ekonomia-ks.com/?page=1,4,379066
[2]  Statement to the Press With Kosovar Prime Minister Isa Mustafa
http://www.state.gov/secretary/remarks/2015/12/250260.htm

Loading...
Shpërndaje