Sejdiu: Ligji ka bërë tri “Trepça”

531

Nënkryetari i Vetëvendosjes, Dardan Sejdiu ka qenë i ftuar në “Interaktiv” të KTV-së, për të folur për Ligjin për Trepçën.

Ka thënë se deputetët e kanë marrë Ligjin tek më 5 tetor.

“Megjithatë ne thamë që e përkrahim në parim, me idenë që vërejtjet tona që do ta kthenin sovranitetin e Trepçës do të merreshin parasysh. Ne bëmë gjashtë amendamente të cilat nuk u morën fare parasysh”, ka thënë Sejdiu.

Ai ka treguar se ka qenë vëzhgues në punën e Komuisuionit për Zhvillim Ekonomik mes dy leximeve të Ligjit, dhe se ka mbetur i befasuar nga, siç ka thënë, joserioziteti i punës aty.
“Nuk jepej mundësia as për të argumentuar mirë amendamentet”, ka thënë Sejdiu.

Sejdiu ka ripërsëritu se Ligji nuk mundëson sovranizimin e “Trepçës” por përkundrazi e ndanë atë në tresh.
“Ligji në fakt i bën tri ‘Trepça’, në ‘Trepçën’ nën administrimin e AKP-së, me ‘Trepçën SHA’ dhe në ‘Trepçën në veri’”, ka thënë Sejdiu.

Ai dhe Vetëvendosje mbeten të bindur se zgjidhja më e mirë për Trepçën do të ishte që ajo të shpallej Ndërmarrje Publike Qendrore, e të rregulloj me dispozita të Ligjit për Ndërmarrje Publike.

“Kështu si është Ligji nuk është as për shpëtimin e Trepçës e as për zhvillimin e saj, por për të trasuar rrugën për privatizimin e Trepçës, dhe ne e kemi parë se si ka shkuar privatizimi deri tani në Kosovë”, ka thënë Sejdiu, përcjell Koha.net. “Dhe kjo na shqetëson”, ka shtuar ai.

Loading...
Shpërndaje