OPINION: Vetëvrasje propagandistike – Sokol Shameti

83

Për çfarë ta zësh më parë kokën me duar nën qeverisjen e Edi Ramës? Në harkun e vetëm pak javëve ai arriti me sukses të ngrejë në qiell pasthirrmën ankuese të publikut për aq shumë veprime sa çdo qeverisje tjetër në Europë nuk do arrinte ta bënte as në dy mandate rresht. Nga besëprerja për importin e plehërave tek dredhia për të mbushur universitetet private me të frikësuarit prej rrezikut të mospranimit në ato publiket.

Nga lënia e vetes për t’u përdorur si kukull në spektaklin iluzionist të një Ballkani në paqe, tek kokëfortësia haluçinative për ta shitur masivitetin narkotik të Shqipërisë sikur është një haluçinacion masiv. Nga indiferenca revoltuese ndaj një vrasjeje të shkaktuar me bekimin e kanakarit të vet, tek zelli për t’u mbyllur gojën atyre që përkundrazi refuzuan të heshtin. Lista është e gjatë. Dhe e gjitha në fakt ka vetëm një lajtmotiv: vendosmëria për t’u bërë urë e interesave të biznesit po e gërryen kredibilitetin e kësaj qeverie dita ditës më shpejt.

E prapëseprapë ajo nuk heq dorë prej vetëvrasjes së vet. Nëse – siç supozojnë shumë vëzhgues – e gjithë kjo zigzage skandalesh është pjesë e një strategjie për të holluar tretësirën e zemëratës popullore, “strategjia” ka ngecur në llucë. Në vend që ta shpërndajë vëmendjen e kritikëve duke u hedhur qëllimisht degë më degë e skandal më skandal, qeverisja “strategjike” e Ramës thjesht ka arritur në shpejtojë ritmin me të cilin akumulohet dhe shtresëzohet tek njerëzit pakënaqësia. Asgjë e keqe nuk harrohet sado më e keqe të jetë gjëja pasardhëse. Edhe pse konsulentët mund të fërkojnë duart kinse sërish arritën t’ua hedhin njerëzve, në fakt, ka kohë që kryeministri nuk po përmend më udhëtimet e veta inkonjito me taksistë që i rrëfejnë në vetë të parë si gurgullon kazani aty jashtë. Dhe “kazani” i madh i pakënaqësisë ka kohë që vlon, pavarësisht se kryeministri vetëmburret se solli një neologjizëm duke barazuar mediat me një kazan. Pakënaqësia është tanimë aq e madhe, saqë ai e ka të vështirë deri edhe të mbajë të unifikuar grupin e njerëzve me votat e të cilëve qëndron në pushtet.

Tashmë është bërë përditë e më e pamundur për secilin ushtar të tijin të mbrojë pa u bërë gaz i botës çdo kauzë a vendim të qeverisë. Shikoni si përfunduan Bare me Shalësin, ose në çfarë karikature komike degradoi Fressh vojsi. Vetë grupi parlamentar po firon sepse as ish-deputetët e tij nuk besojnë më tek ai. Qeveria tani mbahet në këmbë jo më për shkak të qeverisjes së vet të shkëlqyer, por falë dhuratave që kryeministri u jep në formë zyrash qeveritare partive të vogla të cilat sigurisht nuk i marrin ato për t’i qeverisur. E ndërkohë spiralja e errësirës në të cilën fundoset vendi vazhdon të zbresë poshtë e më poshtë. Departamentet më të fryra në organikë dhe financim në çdo dikaster janë zyrat e propagandës. Vetëm Bashkia e Tiranës punëson mbi 25 persona në zyrën e saj të shtypit. Në zyrën e strehimit, më pak se pesë. A nuk është kjo kuptimplotë? Një zyrë strehimi nuk mund ta paraqesë rozë një realitet të zymtë.

Një zyrë shtypi po, ngaqë ajo mund ta manipulojë realitetin. Fakti që qeveria angazhon kaq shumë forca për të përhapur mashtrime të prodhuara në shkallë industriale tregon se sa larg është realiteti nga pamja të cilën sforcohen ta paraqesin zyrat e agjitacionit, sondazhet e porositura, edicionet e lajmeve të ujdisura nga militantë të maskuar si gazetarë, apo analizat nga lobistë të kamufluar si opinionistë. Shqipëria pra, i ka rrëshkitur për duarsh kësaj qeverie. Përpjekjet e tepruara për t’u demonstruar i fortë dhe në kontroll të gjërave, janë prova se kryeministri i saj ndjehet më i dobët dhe i dëshpëruar se kurrë. Arroganca në komunikim, përsëritja e palodhur e të njëjtave gënjeshtra që ai synon t’i ngulisë për të vërteta si dhe këmbëngulja tekanjoze për të bërë pikërisht të kundërtën e asaj që thotë logjika e gjërave, e konfirmojnë këtë. Por teksa zgjedhjet po nisin të duken në horizont, pyetja që të gjithë shtrojnë me mendje është: a do të funksionojë? A do t’i ecë këtij kryeministri dhe qeverisë së tij për të mbajtur sundimin mbi këtë vend kjo sipërmarrje e hapur manipulative ku janë përfshirë? A do të jetë e mundur që riprodhimi frenetik i skandaleve të përditshme nga ana e vetë qeverisë, fabrikimi i tyre i qëllimshëm laboratorik, ta inflacionojë aq shumë idenë e skandalit saqë më në fund askujt të mos i bëjë përshtypje më asgjë ndër mijëra gjërat e tmerrshme që mund t’i zënë veshët një ditë?

Jo vetëm shenjat që tradhtojnë frikën e sundimtarit për të kundërtën por edhe historia dëshmon të njëjtën gjë. Është e pamundur që një gënjeshtër të ngadhnjejë përgjithmonë, gjithandej dhe mbi të gjithë njëkohësisht. Në të njëjtin proporcion që pushteti ndërton mekanizmat e vet kontrollues dhe manipulues, në po të njëjtën përmasë avancon edhe shoqëria, emancipimi i saj, skepticizmi dhe shpirti kritik i saj. Shqipëria e viteve ’90 mund të gënjehej pa shumë mundim nga çeku i bardhë dhe ëndrra amerikane e “le t’ia lemë tregut”. Ajo e viteve 2010 është një Shqipëri tjetër. Dhe sigurisht, të besosh se për t’ia marrë mendtë dhe budallallepsur mjaftojnë të njëjtat taktika mashtrimi si 25 vjet më parë, kjo është një biletë e sigurt për prapa diellit. /Marrë nga Syri.net/

Loading...
Shpërndaje