OPINION: Mërgata, tej begenisjeve të “Samitit të Ramës” – Arbër Zaimi

2777

Para disa javësh në Tiranë, nën përkujdesjen e kryeministrit të Shqipërisë, u mbajt një aktivitet i bujshëm, i quajtur “Samiti i Diasporës”. Aktiviteti, siç e thotë edhe emërtimi i tij, ishte një mbledhje e mërgatës – siç u deklarua – me synimin e mirë që të bashkërendohen e të përparojnë politikat që lehtësojnë kontributet e tyre në vendin e origjinës, pra në atdhe.

Si shumë aktivitete që mbajnë firmën e Edi Ramës, edhe ky aktivitet kryesisht ishte i përgatitur si eveniment mediatik, në formën e një spektakli të transmetuar pjesërisht “live” në televizione, sidomos në pjesët ku Edi Rama i drejtohej nga podiumi pjesëmarrësve me të njëjtin stil e qëndrim me të cilin i drejtohet të gjithëve në aktivitete të tilla, qofshin ata analistë që kinse e intervistojnë, qofshin fshatarë që presin të marrin tapitë e tokave, qofshin të rinj që anëtarësohen në parti politike sepse e shohin klientelën si të vetmen mënyrë për mbijetesë.

Pjesëmarrja në “Samit” ishte e madhe, me ç’duket aktiviteti u prit me entuziazëm. Personalisht mendoj se prej shumë kohësh një pjesë e mirë e shqiptarëve në mërgatë e kanë pritur një ftesë për të kontribuar në vendin e tyre, secili me mundësitë e burimet e veta. Ndaj dhe i janë përgjigjur thirrjes masivisht. Me ç’u mor vesh, organizatorët prisnin të vinin diku 400 pjesëmarrës, mirëpo erdhën më shumë se dyfishi, gjë që vështirësoi protokollin dhe infrastrukturën e “Samitit”.

Mirëpo problemi i vërtetë i këtij aktiviteti nuk ishte konceptimi i tij medial, fundja Ramën nuk e nxjerrim dot nga spektakli e as spektaklin nga Rama, sidomos tani që predikamenti qeverisës global po pushtohet nga njerëzit e spektaklit e nga populizmat, e njeriu më i fuqishëm në botë shfaqet haptazi e krenar si pjesëmarrës e personazh në “Reality Show”, ndryshe nga paraardhësit e tij që e fshihnin me kujdes këtë gjë.

Po ashtu, nuk është problem i madh dështimi në infrastrukturë dhe shndërrimi i asaj që do të duhej të ishte forum, në një “One man Show”, siç ndodh rëndom me aktivitetet ku merr pjesë Edi Rama.

Problemi i vërtetë është se prej këtij “Samiti” nuk doli ndonjë ide, plan a projekt për lehtësimin e kontributit të mërgatës në trojet e saj Ballkanike, as nuk u strukturua apo nuk u qartësua mendimi e veprimi politik vendas mbi mërgatën. Në vend se të bënte këtë, “Samiti” më shumë ngjau si një “begenisje”, si një mbrëmje fundviti nga ato që organizojnë përgjithësisht korporatat për të falënderuar punonjësit e tyre. E në fakt “Samiti” u shoqërua përditë me koktejle e me pritje “Gala”.

Ndërkohë që i bashkohem përgëzimit për organizimin e këtij aktiviteti, i cili duhet të jetë periodik e i vazhdueshëm, nuk mund të mos e shpreh kritikën për qasjen improvizuese dhe mungesën në thelb të një qasjeje të artikuluar e konceptuale ndaj politikës shtetërore për mërgatën.

Pyetjet që do të duhet të shtroheshin e të merrnin përgjigje të qartë nga autoritetet janë tre: Si do ta konceptojmë politikisht mërgatën?; Ç’mund t’i japim mërgatës?; Si mund ta maksimalizojmë kontributin e mërgatës në atdhe?

Pyetja e parë kërkon një përgjigje dinamike, e cila merr parasysh heterogjenitetin e mërgatës, pa e përçarë atë. Këtë përgjigje – përkufizim do të duhej ta jepnin institucionet e ngarkuara me këtë punë në akademi e në administratë. Sepse mërgata nuk mund të përkufizohet prej gjuhës, për sa kohë që në të përfshihen me vetëdije e vullnet mërgimtarë të brezit të tretë, që shpeshherë nuk i kanë as njohuritë fillestare të shqipes. Po ashtu nuk mund të përkufizohet thjesht prej etnisë, duke patur parasysh rastet e familjeve të përziera. Nuk mund të përkufizohet as prej origjinës së shtetësisë, meqenëse pjesëtarët e saj origjinën mund ta kenë nga Shqipëria aktuale, Kosova aktuale, apo dhe Maqedonia, Greqia, Mali i Zi, Italia, Serbia aktuale a vende të tjera. Heterogjeniteti i mërgatës reflekton po ashtu edhe vitet në të cilat ajo është shkëputur nga atdheu. Psh. ka dallim mes mërgimtarëve që e lanë Kosovën e Maqedoninë në vitet 1970, me një ideal të angazhimit të vazhdueshëm për atdheun, dhe mërgimtarëve të vitit 2015, që u larguan prej Kosovës të zhytur në cinizëm e mosbesim të thellë në vlera kolektive. Po ashtu, ka dallim mes mërgimtarëve që e kanë lënë Shqipërinë në vitet ‘20-‘30 të shek. XX, atyre që janë arratisur prej Shqipërisë gjatë viteve të diktaturës, e atyre që masivisht u larguan si prej burgut në fillim të viteve ’90. Vendi pritës i mërgimtarëve e masa e integrimit/asimilimit të tyre në kulturën vendase, po ashtu duhet marrë parasysh. Të gjitha këto nuanca do të duhet të ishin objekt i studimit të vazhdueshëm e serioz të akademisë por edhe i reflektimit serioz (po ashtu të vazhdueshëm) të ndonjë departamenti për mërgatën në ministritë e Shqipërisë dhe Kosovës. Përndryshe nëse as akademia e as departamentet e ekzekutivit nuk bëjnë përpjekje për ta njohur e për ta analizuar sociokulturalisht e ekonomikisht mërgatën, gjasat që të ketë organizim real e propozime substanciale, janë të vogla.

Pyetja e dytë është se ç’mund t’i japë mërgatës Shqipëria e Kosova, si shtete të shqiptarëve në Ballkan. Çelja e konsullatave të përbashkëta është për t’u përgëzuar, edhe pse është një hap tepër i vogël e tepër simbolik. Megjithatë, Rama me të drejtë, përmes ironisë, tregoi se edhe për këtë hap të vogël ka hasur në rezistencën e frymës së bajraktarizmit, sidomos prej “kosovaristëve”. Prirje të tilla politike rrezikojnë që, siç po i përçajnë shqiptarët në Ballkan, të përçajnë edhe komunitetet e shqiptarëve në mërgatë. Pra, në vend se të sjellin bashkim aty ku për arsye të ndryshme aktualisht kemi ndarje, synojnë të sjellin ndarje aty ku për arsye të tjera, aktualisht kemi bashkim.

Megjithatë mërgata ka nevoja më substanciale se sa thjesht çelja e konsullatave të përbashkëta. Bashkimi i shërbimit diplomatik do të sillte lehtësim për mërgatën, dyfishim të territorit të mbuluar prej diplomacive të Shqipërisë e Kosovës, dhe përgjysmim të kostos. Po ashtu, ka nevojë për ndihmë infrastrukturore në ndërtimin e forcimin e një rrjeti të shoqatave kulturore e vokacionale të shqiptarëve në mërgatë, dhe ngritjen e një strukture të shkollave (kurseve) të gjuhës e kulturës shqipe. Këto janë pak, por po të mendohej në këtë drejtim, do të ishte një hap i madh ndihmues për bashkësitë e shqiptarëve në mërgatë.

Po ashtu mërgata ka nevojë edhe për lehtësim e ndihmë në kontribuimin e vet për atdheun, e këtu mbërrijmë te pyetja e tretë, si mund ta maksimalizojmë kontributin e mërgatës në atdhe?

Dihet botërisht se mërgata kontribuon masivisht në ekonominë e Shqipërisë e Kosovës, por edhe në ekonominë e shqiptarëve në Maqedoni, Mal të Zi e Serbi. Kontributi i mërgatës kryesisht është në ekonomitë familjare të farefisnive të mbetura në atdhe, përmes fenomenit të “remitancave”, që shërben si një lloj zëvendësuesi i ndihmës sociale për shumë familje në vështirësi, të prekura nga papunësia apo kriza kronike e ekonomisë në atdhe. Por, ndërkohë që vitet e fundit “remitancat” e kanë pësuar një goditje për shkak të krizës si edhe për shkak të largimit gjeneracional mes familjarëve, edhe në vitet e mira, kur “remitancat” njohën kulmin, ato nuk kanë qenë mënyra më e mençme për të lehtësuar e për të rritur potencialin kontribues të mërgatës në ekonomi.

Mënyra më e mirë për ta maksimalizuar atë kontribut, do të ishte themelimi i një fondi kombëtar investiv të mërgatës, themeluar në partneritet mes Shqipërisë e Kosovës, i cili orienton përmes një operacioni financiar kontributet e mërgatës në investime të mirëmenduara që ndihmojnë zhvillimin e bujqësisë apo industrisë vendase. Ky fond investiv do t’i bënte mërgimtarët investitorë, pronarë apo aksionerë, duke iu garantuar në të njëjtën kohë akses në informacion për politikat shtetërore, parashikueshmëri e siguri në investim, por edhe orientim drejt sektorëve strategjikë e me pritshmëri më të lartë.

Kur flasim për investitorë prej mërgatës, shpeshherë përfytyrohen individë të stërpasur që do të vijnë të investojnë në atdhe miliarda dollarë a euro. Megjithatë, logjika ta do se do të ishte më e lehtë të zhvillohet infrastruktura që i bën bashkë një mijë aksionerë të cilët e mbërrijnë së bashku miliardëshin në investim, se sa përfytyrimi i superpasanikut. Këtë infrastrukturë do ta mundësonin më së miri formulat e fondeve investive kombëtare, apo bankës së investimit për mërgatën, të shoqëruara nga ligjet dhe rregulloret që mbrojnë investimin e mërgatës, duke e dalluar atë cilësisht prej investimit të huaj, duke qenë se ky i dyti udhëhiqet vetëm e specifikisht prej logjikës së përfitimit, ndërsa i pari në vetvete ka dhe një arsye shpirtërore. Për liberalët esenca shpirtërore kombëtare do të duhej të eleminohej prej logjikës së investimit e të tregut, megjithatë asnjë prej shoqërive e shteteve të zhvilluara nuk është bërë e tillë prej “tregjeve të lira”, por prej mbrojtjes së vendores. Vetëm kur është mbërritur zhvillimi, janë ulur masat e proteksionizmit dhe ka nisur tregtia e lirë.

Po ashtu, mërgatës i duhet mundësuar edhe kontributi me ekspertizë. Rrogat në Shqipëri e Kosovë shpeshherë janë jo-tërheqëse, e për më tepër, rrethanat familjare etj. shpeshherë  i pamundësojnë ekspertët nga mërgata që të kontribuojnë “in situ”. Por kontributi mund të konkretizohej me themelimin e instituteve publike, të koordinuara prej Universiteteve Publike apo prej enteve publike, të cilat do të mund të mirëmbanin një databazë të rrjetit të studiuesve e profesionistëve nga mërgata, dhe të komunikonin me ta për çështje të interesit publik, si në mënyrë kolektive, ashtu edhe, kur e kërkon nevoja, në mënyrë individuale.

Kontributi i tretë, por jo më pak i rëndësishëm që mund të japë mërgata në atdhe, është kontributi demokratik. Mërgata jonë përgjithësisht është jo-indiferente ndaj zhvillimeve në atdhe, dhe meqenëse është po kjo mërgatë e cila injekton fluidin ekonomik në familjet e shoqërinë shqiptare ka të drejtë ta thotë të vetën përmes votës, edhe për politikën vendore. Po ashtu, duke qenë e distancuar prej klientelave, klaneve, presionit, blerjes e instrumentalizimit të medias e shoqërisë civile sipas modelit ballkanik, shpeshherë mërgata është më e lirë që të bëjë kritika të ftohta e objektive, pa u trembur. Po të mos ishte kjo dritare botëkuptimore, që është mërgata, ka shumë mundësi që diskutimi publik në trojet ku jetojnë shqiptarët në ballkan të ishte përfundimisht mbytës e toksik.

E le të mos harrohet, mërgata është në thelb kombëtare, potencialisht e bashkueshme në heterogjenitetin e saj. Rrjetëzimi i mërgatës ka ndihmuar në rritjen e peshës së politikës së jashtme shumë vende që kanë patur në historinë e tyre fenomene të ngjashme, psh. Italia apo Greqia (për të mos përmendur Izraelin që i ka rrethanat tejet të veçanta) që i kanë përdorur komunitetet e mërgatës për të shtuar ndikimin e tyre në vende të rëndësishme, si SHBA, Britani, Australi apo Brazil e Argjentinë. Rrjetëzimi i orientuar i mërgatës sonë do t’i jepte asaj peshë të paçmueshme në vende si Gjermania, Zvicra, Britania, Italia, Greqia, Britania, SHBA apo vendet Skandinave. Por për këto, me ç’pamë në media, nuk u fol në “Samitin” e Ramës.

Loading...
Shpërndaje