OPINION: Maqedonia e harruar prej Tiranës e Prishtinës – Arbër Zaimi

457

Diku nga fundi i tetorit qëlloi që u ktheva prej një udhëtimi në Aeroportin e Shkupit. Pas një kafeje në Shkup me disa miq, u nisa për Tetovë, ku do takoja të tjerë miq para se t’ia mbaja për Tiranë. Duke ecur në rrethinat e Shkupit, pranë Haraçinës, më ranë në sy ledhe të mëdha dheu të përmbysur, fare ndanë rrugës, e cila ishte edhe vetë pjesërisht e shkarë. Miqtë më shpjeguan se këto ishin ca nga shenjat e përmbytjes së ndodhur në fillim të gushtit – katastrofës tragjike ku humbën jetën rreth 20 vetë.

Çka m’u duk interesante në rrëfimin e miqve të mi, ishte se ndërkohë që pjesë të Haraçinës e Hasanbegut dukeshin sikur vërshimet i kishin pasur veç para një jave, e jo para afër tre muajsh. Fjala bie, në fshatin Stajkovc, po ashtu të dëmtuar prej të njëjtave vërshime, nuk kishte më shenja të katastrofës. Ato ishin rregulluar me efikasitet prej institucioneve. Pse? Pyetja gjen një përgjigje sa evidente, aq edhe turpëruese. Stajkovci banohet nga një shumicë maqedonasish etnikë. Andaj edhe shteti ka ndërhyrë më shpejt e më intensivisht. Përpos kësaj, Stajkovci me gjasë edhe infrastrukturën e kanalizimet i ka pasur më të sistemuara, gjë që e ka bërë më të lehtë përballjen me fatkeqësitë e tilla. Ndërsa Hasanbegu e Haraçina janë dy fshatra të mëdhenj tërësisht shqiptarë. Aty shteti duket se ka përtuar ta shtrijë dorën e vet lehtësuese me të njëjtin efikasitet si në Stajkovc. Përveç kësaj, urbanistika e rënduar dhe infrastruktura e munguar në këto fshatra dëshmojnë se ky dallim, ky diskriminim në angazhimin e të njëjtit shtet për dy kategori qytetarësh, nuk ka nisur sot.

Është tërësisht e vërtetë se në Maqedoni kanë probleme të ngjashme si shqiptarët ashtu edhe maqedonasit e thjeshtë. P.sh. papunësia i rrënon të dyja palët, dhe papunësia është relativisht e madhe në nivel nacional, rreth 30%. Por, shtypja e dyfishtë mbi shqiptarët del qartë kur shihet papunësia në Likovë, fjala vjen, ku është 80%, ose në Haraçinë, fjala vjen, rreth 65%. Pra, me sa duket, “shpërndarja e papunësisë” ndjek një gjeografi etnike. Po ashtu e vërtetë është se maqedonasit dhe shqiptarët e thjeshtë kanë probleme me gjyqësorin, ndërsa të pushtetshmit shqiptarë dhe maqedonas e kalojnë lehtë çdo problem gjyqësor. Por, shtypja e dyfishtë dallohet edhe në rastet e montuara, si Monstra, të cilat janë aq të pabesueshme sa do të ishin skenar qesharak edhe për ndonjë shkrimtar trilleri.

Dikush mund të thotë se është formulë e lehtë t’i përshkruhet faji etnisë maqedonase, pasi në fakt në Maqedoni qeverisin edhe shqiptarët, në partneritet madje me maqedonasit. Mirëpo, fakti është kokëfortë. I njëjti vërshim, të njëjtat dëme, ndërsa te fshati maqedonas gjithçka e rehabilituar, ndërsa te shqiptarët është si mos më keq. Diskriminimi ndaj shqiptarëve nuk mund të nxirret veç prej këtij rasti, mund të thotë ndonjë tjetër. Por, ja që bash atë ditë kryeministri i fortë e jetëgjatë i Maqedonisë, Nikolla Gruevski, në një tubim të madh në mes të Shkupit, si për t’ia hequr dyshimet kujtdo, pohoi pa iu dridhur qerpiku se ai dhe partia e tij VMRO-ja, janë aty si garantë që dygjuhësia të mos lejohet kurrë në Maqedoni. “As është lejuar, as lejohet, e as do të lejohet dygjuhësia” – ka thënë Gruevski. “E forta” është se ka thënë kështu pa rënë aspak në konflikt me të shumëpërmendurën e të shumëlëvduarën Marrëveshje të Ohrit…

Pushtetarët e opinionistët shqiptarë nga Shqipëria, Kosova apo Maqedonia shumë shpesh e përmendin kot Marrëveshjen kornizë të Ohrit, si mbyllje të çdo bisede që cek diskriminimin. Por, përgjithësisht rrallë e dinë se ç’përmban ai dokument, as nuk e dinë si dhe sa është zbatuar, madje nuk ia dinë as impaktin.

Derisa pushtetarët e opinionistët shqiptarë i thonë publikut se me Marrëveshjen e Ohrit u arrit barazia mes maqedonasve e shqiptarëve në Maqedoni, e vërteta është larg kësaj. Në atë dokument nuk përmenden as shqiptarët e as gjuha shqipe, por vetëm maqedonasit e maqedonishtja si gjuhë zyrtare e shtetërore, si dhe një komunitet eventual që është më i madh se 20%, anëtarët e të cilit paskan të drejtë – nëse duan – të kenë shërbime edhe në gjuhën e tyre, e cila nuk bëhet asnjëherë gjuhë shtetërore, e as kushtetuese. Aq të barabartë bëhen shqiptarët në Marrëveshjen e Ohrit, saqë nuk përmenden asnjëherë në të, më tha njëri prej miqve me ironi.

Marrëveshja e Ohrit është një dokument i mangët, i cili e ka pasur afatin e zbatimit deri në vitin 2006. Dhjetë vjet pas këtij afati ekspertët vlerësojnë se ky dokument fillestar, që shërbeu si bazë për pushimin e luftës në vitin 2001, është zbatuar për më pak se 20%.

Ndërkohë afroheshin ndalesat e pagesave në autostradën “Nëna Terezë”, që e lidh Shkupin me Tetovën, Gostivarin e Kërçovën. Miqtë më treguan se ky segment rrugor, që lidh vendbanimet kryesore të shqiptarëve, prej tarifave që mblidhen në ndalesat e shumta, llogaritet se mund t’i kushtojë deri në 100 euro në muaj një personi që, prej këtyre vendeve, do të mund të gjente ndonjë punë të përditshme në Shkup. Politikë interesante për integrimin e shqiptarëve në një vend ku rrogat në më të shumtën e rasteve vërtiten rreth 250-300 euro. Ironia vazhdon.

Është e pakuptimtë dhe njëkohësisht e papranueshme që qeveritë, e sidomos Ministritë e Jashtme të Shqipërisë e të Kosovës, kanë heshtur deri më tani për situatën e shqiptarëve në Maqedoni. Edhe sikur fare të mos kishte zëra publikë që kërkojnë ndërhyrje për të ndalur diskriminimin e shqiptarëve, mjaftojnë publikimet e përgjimeve që implikuan politikanët më të lartë të Maqedonisë jo vetëm në korrupsion, por edhe në racizëm ndaj shqiptarëve. E në këtë racizëm ndaj shqiptarëve janë bërë partnerë edhe pushtetarët shqiptarë, bash për shkak të korrupsionit. Do të ishte në interesin e thellë të çdo politike shqiptare, që ata që janë përfshirë në skandalet e publikuara prej përgjimeve në Maqedoni, të mbajnë përgjegjësi ligjore. Por, ja që Tirana e Prishtina zyrtare nuk paskan vesh të dëgjojnë se ç’u tha në përgjime për shqiptarët, as sy nuk kanë të shohin ç’u bëhet.

Heshtja e neutraliteti i Kosovës dhe i Shqipërisë zyrtare e ndihmon elitën antishqiptare e kriminale të Maqedonisë që ta zgjasë jetën e vet. Kjo nuk është thjesht amatorizëm dhe improvizim në politikën e jashtme të dy shteteve, që së fundi doli se janë “shtete shqiptare”, por tregon edhe mungesën e një doktrine diplomatike shqiptare sa i përket Maqedonisë, edhe pse aty jeton një pjesë domethënëse e bashkëkombësve tanë.

Tirana e Prishtina mund të pretendojnë se e harrojnë krizën politike në Maqedoni ose se ajo u tejkalua ose se s’është aty, mirëpo realiteti i hidhur, që ngre krye nëpër katastrofa natyrore ose në konflikte njerëzore, vazhdimisht ua përkujton politikanëve shqiptarë në Shqipëri e Kosovë se akutja tashmë është bërë kronike. Duke qenë se shqiptarët jetojnë në kontinuitet pavarësisht kufijve, kriza e mjerimi i shqiptarëve në Maqedoni përherë do të eksportohet (apo importohet, varësisht këndvështrimit) edhe në Shqipëri a Kosovë. Pra, do të jetë një problem edhe i brendshëm edhe i jashtëm, ndaj të cilit qasja e strucit nuk të ndihmon.

Shqipëria e Kosova, të përfshira së fundi në një debat idiot identitar mbi atë se cili shtet është “më shqiptar”, duket se nuk i kanë punët mirë as në vetvete e as me njëra-tjetrën, ndaj duket naive të kërkosh prej dy shteteve të koordinohen për një politikë të përbashkët ndaj Maqedonisë. Zëra të mirinformuar thonë se politika e jashtme zyrtare në Kosovë ndjek parimin “nuk duhet ta lejojmë Shqipërinë të shtrijë ndikimin tek shqiptarët e Maqedonisë, sepse ata janë aset i vlefshëm për përdorim kërcënues për politikën e jashtme të Kosovës”; ndërsa qeveria e Shqipërisë mban si këshilltar për “politika ballkanike” Shkëlzen Maliqin. As Tirana e as Prishtina nuk e kanë qoftë edhe një nëndrejtori (ose “desk”) për Maqedoninë në Ministrinë e Jashtme; ndërkohë që ambasadorët e Shqipërisë e të Kosovës në Shkup më shumë duket sikur konkurrojnë njëri-tjetrin në garën për t’u bërë aleatë të pushtetarëve të atjeshëm. Të dy zotërinjtë ambasadorë janë të paaksesueshëm nga populli shqiptar i Maqedonisë, e për sa kohë që Shqipëria e Kosova të sillen kështu ndaj këtij komuniteti, situata do të vazhdojë njësoj, ndërsa Gruevski (ose kushdo qoftë pasardhësi i tij) do të ketë dorë të lirë.

Nuk ka nevojë për ndodhi tragjike për të ekspozuar fatkeqësinë e pandërprerë të shqiptarëve atje, që është edhe dështim i drejtpërdrejtë i politikës së jashtme të Kosovës e Shqipërisë. Megjithatë, as ndodhitë tragjike nuk po mungojnë, po janë gati të përvitshme.

Çka mund të bënin konkretisht Shqipëria e Kosova? Sigurisht që shumëçka. Të rrisnin praninë e tyre në mënyrë të koordinuar. Të krijonin një komision të përbashkët të politikave për shqiptarët në Maqedoni. Të ofronin së bashku një fond vjetor për ruajtjen e kultivimin e kulturës shqiptare në Maqedoni. Të dyja bashkë, Prishtina e Tirana do të mund t’i gjenin një milion euro në vit për ta mbajtur në kondita vitale këtë pjesë të diskriminuar. Po ashtu, mund të bëhej një strategji për përkrahjen e biznesit e prodhuesit shqiptar të Maqedonisë, së paku për ta integruar në aspektin strukturor me tregjet e Kosovës e Shqipërisë. Në diplomacinë e Tiranës e të Prishtinës gjendja e shqiptarëve të Maqedonisë duhet të jetë “kryefjalë”, ashtu siç ka qenë vetë Kosova për dekada me radhë “kryefjalë” e diplomacisë së Tiranës. E, simbolikisht, këto dy qeveritë shqiptare le ta blinin shtëpinë e Kongresit të Manastirit. Sepse nuk është e denjë, është ofenduese për shqiptarët madje, që në atë vend pelegrinazhi të shiten hidrosanitare, siç ndodh sot.

Barazia nuk është dhe nuk duhet interpretuar si “një nga kërkesat e shqiptarëve në Maqedoni”, por barazia duhet kuptuar e duhet thënë ashtu siç është, pra si kusht për ekzistencën e vetë shtetit të Maqedonisë. Kërkesat e shqiptarëve do të mund të shtrohen vetëm pasi të pranohet barazia. Pa pranimin e saj nuk ka kuptim as diskutimi, as politika, as kërkesat. Pabarazia, po vazhdoi, nënkupton thellim e shpeshtim të problemeve e krizave, e herët a vonë – ndarje.

Loading...