Një botë që i jep Bob Dylanit, Nobelin e letrave, është bota që zgjedh Trumpin për president

128

Bob Dylanit iu dha çmimi Nobel në Letërsi. Pse jo?! Për sa kohë Komitetet Nobel i jep çmimin e paqes Henry Kissinger, atëherë mund t’i japë një çmim në letërsi edhe një njeriu që nuk ka shkruar ndonjëherë letërsi.

Nuk është çështje shijeje. Bob Dylan është një artist i madh, ndoshta më i madhi. Por çmimi Nobel është konceptuar të jepet jo në bazë të asaj që i pëlqen publikut, pasi nëse do ishte kështu atëherë Doris Lessing nuk do ta kishte fituar kurrë. Çmimi Nobel është konceptuar të jepet në bazë aftësisë së ndërthurur me idealizmin. Dylan i ka të dyja këto, por vepra e tij është shumë larg asaj të fituesve të kaluar të Nobelit si Yeats, Gide, O’Neill, Solzhenitsyn etj.  Shkalla e krijimtarisë dhe rëndësia e tematikave të tyre, i tejkalon tekstet e Dylanit. Ai është një yll i zbehtë që i bie një kitare, ndërsa ata janë diej rreth të cilëve ne rrotullohemi.

Nëse Komiteti kërkonte t’ia jepte çmimin një amerikani, atëherë mund të kishte zgjedhur Don DeLillo, Philip Roth apo pse jo, Thomas Pynchon. Nuk kishte pse të bënte këtë zgjedhje. Atëherë pse e bëri? Për nostalgji? Për politikë? Për të kënaqur turmën? Apo për t’ia dhënë dikujt, që do të zhdukte reputacionin e Komitetit për snobizëm intelektual, reputacion ky që ekziston vetëm mes atyre të çinteresuar për letërsinë. Nëse popullariteti i çmimit ishte qëllimi, atëherë pse nuk ia dhanë Leonard Cohen apo Paul McCartney? Pse nuk zgjodhën Debbie Harry, për të cilin mendohet se ka shpikur rapin? Për më tepër, pse të popullarizohet një çmim që nuk përcaktohet, por vendoset në bazë të arritjeve të dukshme të fituesit? Po flasim për Çmimin Nobel në Letërsi, jo për Sweden’s Got Talent.

Epo ja ku jemi pra, kur flasim për aspektin kulturor. Veçantia është zhdukur, diskriminimi është një fjalë e ndyrë, barazia politike, sociale dhe emocioni ekzistojnë ende. Por asgjë nuk ka rëndësi, për sa kohë diçka shet. Kushdo që po feston vdekjen e cilësisë, kushdo që imagjinon se eliminimi i elitizmit të çon pashmangshmërisht në drejtësi, duhet të jetë shumë i kujdesshëm për atë që dëshiron. Një kulturë që i jep Bob Dylanit një çmim në letërsi është një kulturë që zgjedh Donald Trump për president. Kjo është një kulturë e painteresuar tek kualiteti dhe e shqetësuar vetëm tek nevojat për të kënaqur emocionet momentale. Është lënë pas dore si nga krahu Majtë ashtu edhe nga krahu Djathtë. Është bërë shumë e vështirë për të përdorur arsyen, pasi arsyeja është diskriminuese. Nevojitet mendim dhe përpjekje, jo vetëm për ta përdorur, por për ta kuptuar atë. Është shumë më e lehtë të ndjekësh instinktin sot. Ka ndryshim të madh midis thënieve “Dylan, sepse më pëlqen” nga “Trump, sepse unë ndjehem si ai.” E gjitha kjo vjen nga pakultura.

Më quani konservator po të doni, snobist apo elitist. Nuk më bëhet vonë! Kultura është dukshëm më e varfër se ajo e disa dekadave më parë dhe kjo ka një ndikim në politikë. Çdo vit, standardet duket se po bien dhe ajo që dikur konsiderohej absurde, sot duket mjaft normale. Dhe ajo që është e shkëlqyer, për fat të keq është harruar. Se ku do shkojë e gjitha kjo, unë nuk e di. Ndoshta Çmimi Nobel në vitin 2025 do t’i shkojë Donald Trumpit, për postimet e tij në Twitter./dritare.net

Loading...
Shpërndaje