KOSOVA QË HESHT ENDE – nga Monika Shoshori Stafa

4945

In memoriam për ato mijëra vajza e gra të përdhunuara gjatë luftës në Kosovë në ditët e medaljeve të mëdha.  

Pjesa e parë

Monika Shoshori Stafa

Historiografia shqiptare deri më sot vazhdon të lërë pa trajtuar shumë momente dhe ngjarje të rëndësishme, të cilat ende vuajnë mosndëshkimin në kujtesën e popullit shqiptar. Jo pa shkak politik në të shumtën e rasteve ato gjer më sot nuk kanë njohur ende akuzat për genocid dhe krime ndaj njerëzimit. Ndryshimet politike që ndodhën në shkallë globale në Shqipëri gjatë dekadës së fundit të shekullit të kaluar bënë që mes tryezave të studiuesve të hidhen teza se tradicionalisht Shqipëria zyrtare, qysh pas krijimit të saj si shtet në vitin 1912, “është ndjerë e vetmjaftueshme” dhe për rrjedhim gjithçka që ka bërë për vëllezërit e saj jashtë kufijve ka pasur thjesht karakter demagogjik. Përpjekja për të zbuluar një traditë edhe më të hershme për këtë prirje krijoi paralelizmin e “Kosovës – Doruntinë”, që vëllezërit e vetflijuan në lande të huaj, thjesht për të forcuar pozitën e vet. Më të zellshmit në këtë udhë kanë shkuar deri tek pohimi se Shqipërisë i ka interesuar më shumë “një kufi me vetveten”, se kufiri etnik; pëlqim që shpjegon heshtjen, mënjanësinë dhe (mos) interesimin për Kosovën.

Në një pamje të parë, duket se shumë zhvillime kanë qenë të mbara dhe se gadishulli ynë i madh gjithherë problematik është sot më i çliruar se kurrë nga urrejtja ndëretnike. Tani duket se ka mbetur rruga për të ecur para drejt hyrjes në familjen e përbashkët kontinentale. Por koha pas një konflikti të përgjithshëm si ai në Ballkan, ka shenjimin e vet të veçantë dhe ende të pashërueshëm për shkak të mosndëshkimit. Sepse koha postkrim qëndron ende aty. Dhe derisa ai të mos marrë gjykimin e duhur, do të jetë “barut i ndezur” në qendër të gjithçkaje. Kjo jo për t’iu kthyer sërish dënimeve nga e para por për t’i dhënë dinjitetin e humbur çdo viktime e që të tilla masakra të mos përsëriten më. Sot pas më shumë se 15 vjetësh vazhdon heshtja pikërisht nga ata, shumica e të cilëve vunë firmën e tyre në deklaratën e pavarësisë së saj në shkurt të 2008. Ata të cilët duhet ta ngrinin zërin të parët si akademikë, politikanë, kronistë dhe politologë, ata që sot qeverisin Kosovën dhe bëjnë analizat politike të saj. Koha shkonte me vrullin e saj të ngjarjeve që rridhnin një pas një ndërsa zëri i Kosovës vononte të dëshmonte për krimet ndaj saj. Vonon edhe tani.

Përdhunimet

Genocidi më i fundit i serbëve në Kosovë u realizua mbi bazën e një plani të mirëpërcaktuar nga Beogradi. Dhunimi i grave, nënave, nuseve të reja ishte forma më tronditëse që do të prekte krenarinë shqiptare. Përdhunimet të cilat u kryen gjatë luftës në Kosovë nga forcat policore-ushtarake dhe paramilitare serbe ndaj grave ishin vepra që kishin karakter poshtërues, politik dhe hakmarrës. Por thelbi kryesor ka qenë thyerja dhe poshtërimi i shqiptarit në aspektin moral ndaj një gjinie që rriste jetën e re. Lufta e Kosovës mbaroi dhe studimi për t’u përcaktuar saktë kjo tragjedi, që shënoi një datë të re në analet e historisë ende mungon. Sa është bërë deri tani për të nisur një proces të thellë kërkimi shkencor? Mund të themi se shumë pak ose asgjë. Vetëm janë publikuar disa rrëfime të ndryshme, natyrisht pa të dhëna konkrete të rasteve, por marrë në përgjithësi të gjitha këto hulumtime janë bërë nga organizata dhe shoqata të huaja e po ashtu edhe nga organizata vendase. Qytete e Gjakovës, Pejës dhe Drenicës janë vendet ku dhunimet e grave e të vajzave kanë qenë më të shumta. Sipas disa prej të dhunuarave, ushtarët serb merrnin grupe vajzash dhe i përdhunonin me orë e deri me ditë të tëra. Por edhe shumë herë viktimat pasi dhunoheshin sistematikisht, vriteshin në fund që të mos dëshmonin. Gjithashtu një karakteristik tjetër e kësaj forme ka qenë edhe ajo se dhunimi kryhej në forma nga më të ndryshmet e në mënyrë masovike. Një të tillë ngjarje kemi mundur ta dëgjojmë nga një grua e cila tregonte “se kur vëllanë tim 12 vjeçar filloi ta rrahë policia, unë u mundova ta ndihmoj. Ishte një vëlla pas nëntë motrave, por ndodhi më e keqja. Ata më morën mua dhe më ç’nderuan në prani të babait, nënës, motrave e burrit tim. Këtë e shihnin e gjithë kolona por edhe familjarët e mi”, thotë gruaja e dhunuar. Nisur nga shumë dëshmi të njohura dhe të panjohura duket se përdhunimet janë bërë edhe në prezencën e të afërmve të të viktimave. Ato madje janë kryer në të gjitha shtresat e vajzave e grave shqiptare. Disa raporte të organizatave ndërkombëtare e kanë përshkruar dhunën e kryer kundër shqiptareve të Kosovës gjatë konfliktit në vitet 1998-1999 si krime kundër njerëzimit pavarësisht se ende nuk janë ngritur akuza të tilla në rrugë zyrtare për në Tribunalin e Hagës. Policia serbe, grupet paramilitare dhe ushtarët nuk kanë kursyer nënat, fëmijët apo gratë shtatzëna nga sulmet fizike dhe seksuale. Sipas hulumtimit paraprak, rreth një e treta e grave në Kosovë kanë përjetuar dhunë fizike kur janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre. Në zonat e izoluara nga forcat serbe siç janë Drenica apo dhe Deçani grave u janë hequr furnizimet sanitare dhe kujdesi mjekësor, gjë e cila ka ndikuar në veçanti tek gratë shtatzëna. Një grua e intervistuar për një projekt ndërkombëtar kishte lindur binjakë teksa po fshihej në male gjatë luftës. Një grua tjetër refugjate tregonte se ushtarët “u kanë prerë stomakun shumë grave shtatzëna dhe u kanë therë embrionin me thika”. Forcat serbe kanë lënë shtatzëna gra me dhunë si pjesë e fushatës së tyre të spastrimit etnik. Burime të ndryshme kanë vlerësuar se rreth 10 dhe 45 mijë gra janë dhunuar gjatë luftës. Mund të themi se në pranverën e fundit të shekullit të kaluar, fati kish ruajtur për vajzat dhe gratë e Kosovës, një martirizim të pashembullt, si ato që pak historianë të huaj i kanë përshkruar në ditarët e tyre të udhëtimin nëpër Ballkan gjatë shekujve të Perandorisë Osmane. Sipas një operacioni të projektuar ushtarakisht forcat serbe i kishin në shënjestër gratë shqiptare, shumica prej tyre ishin nën moshën 25-vjeçare. Grupe prej pesë deri në tridhjetë gra janë transportuar me kamione në lokacione të panjohura apo shtëpi të banuara nga ushtarët serbë ku ato “dhunoheshin individualisht nga shumë burra, gjatë disa orëve, e ndonjëherë edhe me ditë të tëra”. Dhunimet brutale kishin të bënin me prerjen e fytyrave të grave, të gjinjve dhe gjenitaleve dhe përdorimin e barnave që ndikonin në memorien e grave apo shkaktonin vdekjen e tyre. Para largimit nga Kosova në qershor të vitit 1999, pas bombardimeve dhe ndërhyrjes ushtarake të NATO-s, forcat ushtarake, policore dhe ato paramilitare serbe, përveç se lanë pas mbi 10 mijë të vrarë e shkatërrime masive, lanë pas një plagë të hapur ende, me rreth 20 mijë gra të shnjerëzuara. Ndërsa gjymtimi i kujtesës sonë kombëtare ende vazhdon.

Pjesa e dytë

MONIKA SHOSHORI STAFA

E drejta e krijimit të shtetit kombëtar, e drejta e “bashkimit” të trojeve të ndara me dhunë, e drejta për të mbështetur vëllezërit në gjendje “okupacioni”, e drejta për të mos harruar, kultura e mosndëshkimit dhe e drejta për të njohur krimet e luftës, janë disa të drejta të shenjta që gjejnë shprehje në aktet më të rëndësishme ndërkombëtare, e të cilat kanë evoluar me kohën. Por para së gjithash, gjejnë vend në parimin e madh të vetvendosjes, i cili është parashkruar përafërsisht edhe në Kartën e OKB-së. Ky qe fati i Kosovës së paraluftës që edhe sot ende përjeton imponimin që i bëhet nga rrethana të disfavorshme historike, nën një mjedis të diktuar politikisht ndërkombëtar me gjithë thirrjet e hapura për një treg të përbashkët rajonal. Historia është treguar zemërake me shqiptarët por tani edhe vetë shqiptarët po dëshmojnë jo ashtu si duket mes mediave, mosdurim dhe mospëlqim ndaj krerëve të politikës zyrtare në Tiranë dhe Prishtinë. Letargjia e gjatë politike i vuri në gjumë shqiptarët për më shumë se 20 vjet që prej vitit ‘90. Klasat politike në të dyja anët e kufirit i largoi nga ajo traditë që përputhej me temperamentin e tyre. Po t’i ndjekësh me vëmendje mediumet politike që sot bëjnë opinionin në rang kombëtar, duket qartë se shqiptarët e Shqipërisë dhe ata të Kosovës nuk mendojnë më njëlloj. Madje shpesh herë të duket se tani pas më shumë se 15 vitesh që nga koha e luftës, shumë gjëra nuk i kemi më të përbashkëta. Kosova duket sikur nuk është më ndër venat tona. Dhe problemi shqiptar ka gjasa të jetë gjendur përballë një komploti të rrezikshëm, përballë komplotit të shuarjes nga iluzionet, të injorimit me ligj të cdo ndodhie të rëndë dhe të mosndëshkimit të krimit, më keq akoma përballë faktit se e kaluara duhet të harrohet. Rrëfimet e grave kosovare që prej verës së vitit 1999 që alarmuan një botë të tërë, ende sot mbetet një temë e llahtarshme ku përzihet kundërshtimi me forcë dhe tërheqja. Transkriptimi i klithmave të alarmit dhe përgjigjet e squllëta diplomatike nxjerrin deri sot në pah një konformizëm perëndimor që të kall datën, ndërsa i pyet si gazetare se cfarë do të bëhet me këtë krim njerëzor. Konflikti i Jugosllavisë ndoshta për arsye gjeografike, nxori në pah atë që është dëgjuar ndër veshët tanë si kërkues kokëfortë të cështjes: përdhunimet sistematike përdoreshin madje dhe nën hundën e ndërkombëtarëve si armë lufte. Në këtë pjesë të Europës, të përdhunosh një grua do të thotë të fyesh rëndë burrin sepse mbrojtësin e vriste ndërgjegja që nuk kishte mbrojtur gjininë e dobët. “Nuk ditëm në dy vjet të fshinim shekuj të gjatë urrejtje, të pajtonim shqiptarët e Kosovës me serbët që kacavirren me thonj pas kësaj  toke, por ama ishim të dobishëm”, shkruan Bernard Kushner, ish kreu i administratës së OKB-së në Kosovë në librin e tij ‘Luftëtarët e Paqes’. E rëndë ta dëgjosh, po aq e dhimbshme ta analizosh.

Përdhunimi i grave të Kosovës është njëri ndër krimet më të errëta që është kryer gjatë kohës së luftës. Krimi që torturon prej shumë vitesh gra e burra të këtij vendi. Aksionet cnjerëzore ndaj tyre u kryen në grup e në sy të fëmijëve, hera – herës edhe në sy të baballarëve, vëllezërve apo dhe burrave të tyre. Masakrat ndaj grave kosovare në cdo qytet e fshat ka rezultuar të jetë një nga fenomenet më misterioze të policisë paramilitare serbe, që sot ende nuk janë zbardhur plotësisht e as janë njohur e ndëshkuar nga Tribunali i Hagës, duke shuar shpresën e një rilindje të ndërgjegjes së këtij populli. Më keq akoma, harresën ndaj ngjarjes për të mos ia ngritur kokën kurrë viktimave dhe burrave të tyre por dhe dëshmitarëve më të pafajshëm që u gjendën aty, fëmijëve, që sot janë brezi i ri në Kosovë. Poshtërimi i popujve është një dukuri e njohur në histori. Ai i paraprin racizmit dhe bën pjesë në shenjat e sigurta që paralajmëron fatin e keq të një kombi. Dhe një nga poshtërimet që i bënë shqiptarëve të Kosovës janë përdhunimet e grave të tyre. U zgjodhën pikërisht ato, për t’u bërë kurbani i një lufte ku meshkujt u goditën në pikën e tyre më të dobët.

Dëshmitë

Një grua nga Prizreni

Vitet kanë kaluar por lufta tek ne ende gjurmon. Tek ne kanë lënë pasoja të mëdha, tek ne femrat që përjetuam gjithë atë tmerr. Për ne, lufta nuk ka përfunduar ende. Përgjatë tri ditëeve dhe tri netëve të zëna rob, isha me familjet dhe me fëmijët. Prej datës 26 mars deri më datën 29 mars 1999 kanë ndodhur këto dhunime mbi mua. Erdhën e na zgjidhën, na ndanë prej burrave, na morën e na cuan nëpër shtëpi, na bënë cfarë deshën, e na mbajtën të ngujuara. Na dhunuan dhe na keqtrajtuan fizikisht. Na rrahën e na thanë se do t’ua marrim fëmijët e do t’iu cojmë në Serbi. Nuk do t’i shihni më kurrë ata…por ne nuk merrnim vesh asgjë, ishtë ditë apo ishte natë. Në një dhomë të errët të ngujuar..isha e zhveshur tërësisht, e djegur me cigare, e me thikë te fyti. C’të mendoja atëherë, vetëm vdekjen kërkoja. Vdekja ishte më e mirë se ajo cfërë unë po përjetoja atëherë. Ata ishin shumë. Dy shkonin e dy vinin, me maska të mbuluar..vinin me birra në dorë, e na hidhnin birra në kokë.. ata janë hakmarrë ndaj nesh kundrejt UCK-së. Policia serbe nuk ka luftuar me ushtrinë por me gra e pleq.

Ajo shpjegon se ndërsa fëmijët ishin tek dhoma ngjitur, ajo shkonte atje kur ushtarët e lenin derën hapur. I vishja rrëfen më tej ajo, shkoja te fëmija kur i dëgjoja duke qarë e ata i gjeja duke bërtitur. Në dhomë sipas saj kishte dhe gra të tjera që kërkonin ndihmë.. por ata (policët) s’kishin gjuhë tjetër; ndac hajde, ndac po të mbysim fëmijët. Ajo ndërkaq nuk rresht së thirruri shoqet e tjera të dhunuara që të mos ngurojnë por të dalin e të flasin. Sipas saj, asgjë nuk i ndihmon sa vetvetja. Sa i përket shtetit, ajo është tepër e zhgënjyer kur pohon se shteti as që ka dashur të dëgjojë për këtë cështje.

 

E reja nga Prishtina

Ka qenë viti 1999. Ne ishim tu ec përgjatë një fshati kur na rrëmbyen dhe na vendosën në kolonë. Pastaj na ndanë një e nga një e na vendosën në një shtëpi. Kur ra mbrëmja na cuan në shtëpi të tjera. Atje më ka humb vetëdija krejt. Nuk kam ndjerë asgjë. Na kanë mbajtur gjithë natën dhe na kthyer sërish. Kanë qenë shumë persona. Një, na ka mbajtur të lidhura pastaj .. tre, katër a pesë ….. ndërsa gjithcka ka ndodhur. E kujtoj atë natë sa herë gjumi nuk më merr. Për ne ka mbetur e paharrueshme sepse kemi pas vujatje të rënda. Kemi pas keqtrajtime të mëdha. Nuk di se si mundemi të qëndrojmë ende. Nuk e shpjegojmë dot se cfarë kemi përjetuar. Gjatë asaj nate kam menduar të mos jetoj. Kam menduar që të mos takohem më, me familjen time. Jo për shkak të fajit por nuk mundesha ta përballoja.

E reja prishtinase mungesën e lirisë pas përdhunimit e ndjen së tepërmi. Atë liri nuk mundi ta fitonte më kurrë pas asaj nate. Ne nuk jemi të lira thotë ajo, pavarësisht frikës me të cilën bashkëjeton prej vitesh. Duket se flet me urrejtje për dhunuesit e saj, një urrejtje që nuk do t’i shqitet kurrë për sa kohë autorët e krimit nuk janë dënuar. E megjithatë kanë forcën të ngrenë zërin për një apel të fortë: ‘s’kemi ku të shkojmë, duhet të bëhemi bashkë e të dalim për të folur. Ne nuk jemi fajtore’. Gratë dhe nënat e Kosovës, ato që sot quhen kurbani i luftës sot kanë një status të papërcaktuar. Shumë pak prej tyre përkrahen nga familja ndërsa shumë të tjera stigmatizohen si fajtore edhe pse në të vërtetë janë viktima. Por ato nuk dorëzohen, vazhdojnë betejën e tyre për t’ia dalë mbanë në Kosovën patriarkale.

Loading...
Shpërndaje