Këto janë pagat e majme të zyrtarëve të shtetit

143

Paguhen gati pesë herë më shumë se punëtorët e tjerë, por mezi e përballuan një seancë që zgjati 14 orë. Deputetët e Kuvendit të Kosovës duket se nuk janë mësuar të rrinë ulur për aq gjatë, sikur të premten deri pas mesnate.

Megjithatë, një orar i tillë për punëtorët e sektorëve tjerë në Kosovë thuajse është i përditshëm. Sidomos për ata që punojnë në ndërtimtari e që paguhen më pakë se 250 euro në muaj, shkruan Gazeta Fjala.

Sipas një publikimi që ka bërë Instituti për Studime të Avancuara (GAP), paga mesatare e 213 të punësuarve në Kuvendin e Kosovës është 1 mijë e 535 euro, ndërsa mesatarja për tërë Kosovën llogaritet të jetë rreth 360 euro.

Por më të paguar se këta janë zyrtarët që punojnë në Autoritetin e Aviacionit Civil. Ata marrin, 1 mijë e 923 euro çdo muaj, derisa në vit për pagat dhe mëditjet e 32 të punësuarve në këtë institucion, nga taksat e qytetarëve shpenzohen 622 mijë e 980 eurove.

GAP, ka gjetur se 1 mijë e 307 euro pagë mujore, i marrin 37 të punësuarit në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Ndërkohë,  752 mijë e 691 euro është shuma vjetore që marrin për paga e mëditje në vit.

Në Presidencë, paga më e vogël se në BQK

Pagë të majme marrin edhe 49 të punësuarit në Bankën Qendrore të Kosovës. Gazeta Fjala, bazuar në të dhënat e GAP, shkruan se ata paguhen 1 mijë e 254 euro, mesatarisht gjatë një muaji, përderisa 917 mijë e 678 euro i marrin në baza vjetore.

As në Zyrën e Rregullatorit për Energji, pagat nuk duket të jenë të vogla. 1 mijë e 218 euro, është paga mesatare që marrin 33  të punësuarit në  ZRRE.

Në Universitetin e Prishtinës, paga mesatare mujore, është 1 mijë e 62 euro, duke iu referuar të dhënave që GAP ka nxjerrë. 1960 persona janë të punësuar aty, derisa 20 milionë e 584 mijë e 860 euro, është shuma për paga dhe mëditje që ky institucion merr cdo vit nga buxheti i shtetit.

Edhe në zyrën e Presidentit, pagë mesatare mujore  prej 1 mijë eurove, marrin 56 të punësuar.

Ndërkaq, 51 të punësuarit në Institucionin e Avokatit të  Popullit, marrin pagë mesatare mujore 946 euro, derisa 601 mijë e 535 euro, është shuma për paga e mëditje çdo vit.

Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale, i ka të punësuar 82 persona të cilët marrin 814 euro, pagë mesatare në muaj, ndërsa 827 euro,  është paga mujore mesatare në Agjencinë Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale,  e në Autoritetin Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare.

Paga të vogla për ndarësit e drejtësisë

Për dallim nga ata të cilët ka për obligim ti hetoj, sipas raportit të GAP, Agjencia Kundër Korrupsionit, i ka të punësuar 40 persona të cilët paguhen mesatarisht 781 euro në muaj.

E në Këshillin Prokurorial të Kosovës, paga mesatare mujore është edhe më e vogël, 749 euro, ku janë të punësuar 435 persona, përderisa në Gjykatën e tenderëve, sic njihet Organi Shqyrtues i Prokurimit, marrin pagë mesatare 734 euro.

Më shumë paguhen, sipas hulumtimit të GAP-it, të punësuarit në Komisionin e Pavarur për Media, mesatarisht 736 euro në muaj.

Ndërkaq, 726  euro marrin pagë mujore mesatare, 88 të punësuarit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, apo gati 100 euro më shumë se ata që punojnë në Institutin Gjyqësor të Kosovës.

Këtu paga mesatare është 685 euro në muaj, apo 5 euro më e lartë se në Autoritetin Kosovar të Konkurrencës.

Në Këshillin Gjyqësor të Kosovës, paga mesatare është 632 euro, ku janë të punësuar 159 persona.

Agjencia për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale, e ka pagën mesatare 565 euro, të punësuar janë 11 persona, ndërsa 20 të punësuarit në Panelin për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), i marrin mesatarisht nga 542 euro në muaj.

E në Këshillin e Kosovës për Trashëgimi Kulturore, paga mesatare thuhet të jetë 500 euro, derisa të dhënat e GAP, tregojnë se  Agjencia Kosovare e Pronës, e ka pagën mesatare mujore më të ulët. 469 euro, është paga që marrin 242 të punësuarit në AKP, por 1 milion e 187 mijë e 401 euro, janë shpenzimet vjetore të këtij institucioni për paga e mëditje.

Loading...
Shpërndaje