“Drenasi ka vendosur për ndryshim, do të fitoj në raundin e parë”

82

Isa Xhemajlaj, kandidat i NISMA për kryetar të Drenasit, në Ballë për Ballë të Klan Kosovës, ka thënë se është i bindur në fitore në këto zgjedhje, pasi qytetarët e Drenasit kanë vendosur për të bërë ndryshimin e nevojshëm.

“Jam optimist për fitore sepse i takoj dhe bisedoj me të gjitha shtresat e qytetarëve të Drenasit. Tek ata e shoh fryëm e ndryshimit. Ata nuk shohin mundësi ndryshimi tek kandidatët tjerë, vecanërisht tek ai i PDK-së. Drenasi nuk është bastion i Partisë Demokratike të Kosovës. Ka qenë, por s’është më. Ai është bastion i qytetarëve dhe ata po duan që ta kenë një njeri që rri dhe bisedon me ta”.

“Qytetarët duhet të më besojnë sepse e njoh mirë Drenasin. E njoh mirë, lagje për lagje. Mua nuk do të më ikin investitorët, sic ka ndodhur në të shkuarën. Do të jem jo vetëm në shërbim të qytetarëve, por maksimalisht do t’u shërbej edhe investitorëve”.

“Me kundërkandidatët kam raporte normale private. Njihemi tash e një kohë. Marrëveshje për balotazh nuk kemi, sepse besoj që do t’i fitoj zgjedhjet qysh në raundin e parë”.

Ai ka deklaruar se takimet me qytetarët gjatë parafushatës janë duke ecur mirë, dhe në to është duke kuptuar më mirë hallet e qytetarëve të Drenasit.

“Fushata nuk ka filluar ende, por jemi në takime konsultative me banorët. Është kjo njëlloj parafushate, me takime që mbahen nëpër oda dhe lokale. Do të kishte qenë mirë që secili fshat të kishte ndonjë bibliotekë, ku do t’i mbanim këto takime, por këto janë kushtet”.

Xhemajlaj ka sulmuar edhe zyrtarët e lartë të Partisë Demorkratike të Kosovës, të cilët sipas tij janë duke e vizituar pa nevojë Drenasin, me qëllim që të ndikojnë në vendimin e qytetarëve për të zgjedhur të parin e qytetit.

“Nuk është mirë që ministrat të vijnë në Drenas, pasi gara është në nivel lokal. Ne të gjithë njihemi me njëri-tjetrin dhe është fare e panevojshme që të vijë e gjithë qeveria për fushatë. Ata po u premtojnë qytetarëve shumë gjëra, por unë po u them që ato nuk do të realizohen. Do të kishte qenë mirë që këta ministra të merren me hallet tjera të qytetarëve dhe jo të vijnë të na pengojnë neve si kandidatë për të na penguar. Këta njerëz që vijnë dhe sorollaten, e thirren në emër të luftës, nuk i bëjnë nder as luftës as PDK-së”.

Loading...
Shpërndaje