Drejtësi për Astritin si çlirim nga ngulfatja – shkrim nga Adnan Rrustemi

147

Astrit Dehari pasqyron aktivistin politik të panënshtruar, i cili në përsiatje për t’i dhënë kuptim një jete të dinjitetshme dhe për të demaskuar këtë pushtet autoritar, me angazhimin e tij politik mëtonte të shpërfaqte me ngulm një tablo tjetër të shoqërisë, të cilën ky regjim po e rrënjosë si të pamundur. Si student i zellshëm kishte pasur fatin që në libra dhe në angazhimin e tij politik të gjente mënyrën dhe kurajën që vlerat e drejtësisë politike t’i shihte të mishëruara në institucione dhe politikë, si rrugë se si duhet shpëtuar prej kthetrave të forta të këtij pushteti ngulfatës dhe të padrejtë.

Rrjeta nënshtruese e këtij pushteti nuk e kapi dot Astritin, sepse vullneti i palëkundur i tij për drejtësi politike e shoqërore mbizotëronte çdo frikë a tërheqje mbrapa. Regjimi, i terrorizuar nga ky vullnet e në pamundësi për t’ia zotëruar shpirtin revolucionar montoi prova joekzistuese dhe të gënjeshtërta, me të cilat për herë të parë arriti ta mbërthejë dhunshëm Astritin në pranga, së bashku me pesë aktivistë tjerë, me akuzën absurde për “Terrorizëm”. Burgosja e tij dhe mbajtja për dy muaj pas grilave ishte sulmi i parë i dhunshëm kriminal që pushteti e ndërmori ndaj Astrit Deharit, për të përmbushur kësisoj atë që më pas do të përbënte edhe përfundimin e këtij krimi; nxjerrjen e tij si të vdekur nga burgu. Kësodore, vrasja e tij nuk fillon me vdekjen e tij, por pikërisht me arrestimin e tij. Mbajtja e tij në paraburgim me prova të montuara për dy muaj e më shumë, vetëm se e nxjerr më në pah karakterin kriminal të këtij pushteti dhe cakun se deri ku mund të shkojë ai ndaj atyre që të p shitur e të pablerë guxojnë t’i përgjigjen ndryshe politikisht.

Dëshmia se jogjithçka blihet përvetësohet e nënshtrohet, skandalizon logjikën tregtibërëse të këtij regjimi. Deklaratat kundërthënëse të krerëve të Policisë dhe Prokurorisë dhe shpërfillja që shteti, i cili presupozohej të ishte garant i sigurisë së Astritit po vazhdon t’ia bëjë kësaj ngjarjeje, përbën skenën më kërcënuese që paralajmëron këdo që guxon të dalë kundër këtij regjimi.

Kjo shpërfillje prej moskokëçarësi për jetën e qytetarëve zë fill në pavërtetësinë dhe montimin e akuzës, vazhdimin e paraburgimit e deri tek reagimet e gardianëve dhe eprorëve të tyre në këtë rast, të cilët, ashtu siç u instaluan në vendet e tyre të punës përmes prontokritereve, njëjtë nuk e prishën komoditetin as atëherë kur një i burgosur politik u gjend i vdekur në qelinë e burgut të tyre. Në këtë mënyrë, hetimi për vdekjen e Astritit nuk mund të bëhet ndarazi nga arrestimi i tij i montuar dhe pikëpamja politike që përfaqësonte. Arrestimi me prova të inskenuara, aq sa është shkaku dhe motivi i vdekjes, po aq vdekja e tij është përpjekje e përligjjes së arrestimit të tij politik.

Astriti si askush dhe si asgjë tjetër në këto gjashtëmbëdhjetë vjet ngërthen brenda vetes dy anët e gjendjes sonë kolektive. Arrestimi dhe vdekja e tij është determinuesi i kulmit në të cilën ka arritur arbitrariteti i këtij regjimi autoritar e vrastar, si shprehja më e rëndë e thellësisë dhe gjerësisë së dhunës sistemike, ndërsa varrimi i tij, homazhet e solidariteti kombëtar e monumentojnë vullnetin dhe vendosmërinë për një shoqëri të drejtë dhe shtet demokratik, që determinon rrugën tonë të shpëtimit kolektiv. Ai na i shkoqiti veçoritë e kësaj situate, në të cilën jemi zhytur si shoqëri e shtet. Larg skemave mekanike e të mërzitshme të opinionistëve, që mbështesin Qeverinë, na u rizbulua ajo, që si shoqëri nuk donim ta besonim; ky shtet nga një synim e ëndërr e qytetarëve është shndërruar në mekanizëm antipopullor; nga një hapësirë e përbashkët publike që mundëson realizimin e vullnetit kolektiv në një mjedis oligarkësh, të cilët për të mbajtur në këmbë sundimin e tyre vrasin e arrestojnë këdo që mendon ndryshe nga ata dhe që ngrihet kundër tyre.

Drejtësia për Astritin, në fakt na thërret për të përmbysur raportin aktual të drejtësisë me shtetin, jo me shtetin si realitet abstrakt, por me regjimin qeveritar si prani konkrete. Kur thirret për drejtësi nuk mendohet nga Qeveria. Drejtësi nuk mund të pritet nga regjimi dhe mekanizmat e tij, nga të njëjtit që me veprimet e tyre e kishin çuar drejt vdekjes Astritin. Drejtësi për Astritin pashmangshëm nënkupton nxjerrjen e regjimit para gjykimit. Për rrjedhojë, drejtësia si nocion nuk zë fill te Qeveria, por te populli e kundër regjimit.

Thirrjet për drejtësi që po gëlojnë fuqishëm këtyre ditëve nga shtresa të ndryshme të shoqërisë, fatmirësisht janë një dëshmi e fortë që populli, edhe pse i rraskapitur e i zënë fort në tentakulat e këtij regjimi, nuk mund ta bëjë më të shurdhrin e memecin, që për vite të tëra po i shkon për shtat pushtetit. Gjithë ky sensibilizim, gjithë ky zemërim, po çliron ngadalë klithmën për drejtësi, të ndrydhur për shumë kohë e të cilën nuk do të mundë ta mbajë brenda asnjë trup. Zaten, Astriti gjithë jetën e tij pa përpara në kërkim të drejtësisë, zgjimit shoqëror, dinjitetit të nëpërkëmbur paturpësisht, lirisë së plotë e vdekja e tij vetëm sa po e ndriçon këtë kërkim.

“Drejtësi për Astritin” sot është kapërcimi prej individuales në të përbashkëtën, ku drejtësia simbolizon përmbushjen e vullnetit kolektiv, dinjitetit, qytetarisë, lirisë, e Astriti simbolizon të gjithë dhe secilin prej nesh, që mbetet vetëm çështje fati që nuk ishim në vendin e tij më 5 nëntor në qelinë e Burgut të Prizrenit, sepse këtij pushteti nuk i duhen prova e dëshmi për të na burgosur e as skrupuj për të na vrarë.

Loading...