Ana Kabashi – E çiltër, e fuqishme, joshëse

560

Është njëra ndër këngëtaret më të angazhuara në skenën tonë. Di se si të injektojë tek publiku adrenalinë. Nuk i mungon guximi, as suksesi.

Në bisedën tërësisht relaksuese për Telegrafin, Ana Kabashi, zbulon se çfarë aktualisht është duke punuar, me çka merret… çka planifikon në vazhdim dhe shumëçka tjetër.

IMG_0410

Ana, ka kohë që je në skenën muzikore. Një vokal tejet i bukur, që e kemi parë në ekranet dhe në skena të shumta. Që sa kohë ushtron profesionin e këngëtares?
Në fakt, nuk e shoh si profesion. Është më shumë një dashuri e imja e cila më ka dhënë shumë deri tani dhe që i jam dedikuar maksimalisht. I kemi qëndruar vazhdimisht njëri-tjetrit pranë. Muzika është më shumë se thjesht një profesion për mua.

Paraqiteni në vende të ndryshme ku ka shqiptarë. Si ju presin dhe çfarë muzike kërkojnë ata?
Me që tash kam filluar të krijoj repertorin personal me këngë të mia të zhanreve të ndryshme, me të cilin edhe do të identifikohem si artiste, nëpër festa dhe skena të ndryshme kam performuar hite të kohës të muzikës botërore dhe hite të vjetra shqiptare. Më pëlqen muzika shqiptare, më pëlqen muzika botërore. Më pëlqen muzika e mirë. Sepse vetëm muzika e mirë i mbijeton kohës, asgjë tjetër!

Cili është synimi yt më i afërt? Ke projekte të tjera në dorë?
Aktualisht po punoj për të krijuar këngë të mia, të zhanreve RnB – Pop, pse jo edhe të zhanreve tjera me të cilat do të provoj të jem sa më afër me publikun dhe të prek skena më të mëdha të industrisë muzikore. Ndjej se ka mungesë të muzikës së mirë në treg, shumë hapësirë për të realizuar atë që kam në zemër – muzikën e mirë.

IMG_0216

Mungesa e kualitetit dhe muzikës së mirë në treg është për diskutim? Kujt i referoheni, faktit që ka shumë këngëtarë dhe ka shumë këngë të ndryshme të cilat po lansohen?
Nuk i referohem këngëtarëve të caktuar apo artistëve të caktuar. Për të gjithë kam respekt njësoj, por ndjej se duhet që një gjeneratë e artistëve të rinj të ketë fjalën e vet në skenën muzikore dhe unë do të tentoj të bëj gjëra të bukura. Do të tentoj të bëj muzikë të mirë.

Gjithnjë flet për muzikë të mirë, me kë mendon të realizosh muzikë të mirë, cilët janë bashkëpunëtorët tuaj më të afërt?
“Massive Production”. Studio ku veprojnë Granit Gashi dhe Nurteel Morina, dy prej producentëve më të mirë në tregun muzikor shqiptar – është shtëpia ime. Aty unë po realizoj krijimtarinë time artistike, aty janë edhe bashkëpunëtorët tjerë prapa skenave, me të cilët merremi edhe për PR-in edhe për videoklipet. Është një organizatë e madhe e tërë të përkushtuar për punën time. Jam falënderuese ndaj “Massive Production”, një bashkëpunim i cili besoj se do të jetë afatgjatë.

Së pari erdhe në skenë me “S’jena Bashk”, një projekt mjaft i bukur. A i ka përmbushur ky projekt pritjet e tua?
Ishte një projekt i mirë, i ka pëlqyer publikut. Jam e kënaqur për këtë.

Projekti më i ri titullohet “Me Hile”, një projekt RnB, me një videoklip karakteristik. Kush ta ka bërë “Me Hile”?
Haha… (qesh), ky është problemi që kam pasur me t’u lansuar videoklipi. Jo patjetër duhet të jetë jeta personale e përfshirë apo jo? Në fakt, është një histori tradhtie e një femre, e cila është penduar dhe kthehet në retrospektivë pasi ka mbetur vet, për të kujtuar kohën e bukur bashkë me të dashurin. Një temë ku jam inspiruar, jo në jetën time private.

A tradhton vërtet Ana sikur në videoklip?
Kurrë nuk tradhtoj, ajo ishte thjesht ideja e projektit!

Kush qëndron pas suksesit tënd?
Natyrisht që “Massive Production”, në secilin aspekt janë përkujdesur për këtë projekt. Granit Gashi dhe Nurteeli në muzikë, kurse Arta & Nagipi për dukjen time, të cilët i falënderoj shumë. Janë krahu im i djathtë. “Bug production” ka realizuar videoklipin, me të cilën punë jam ndarë tejet e kënaqur.

Je prej këngëtareve më seksi në skenën muzikore. Si arrin të mbash trupin kaq në formë?
I kushtoj kujdes dukjes time dhe trupit. Natyrisht, në mënyrë natyrale dhe pa intervenime të pa kontrolluara estetike. Merrem shumë me fitnes në Life Fitness, të cilët i falënderoj. Aty zhvilloj një hobi të madh timin, që më ka ndihmuar të mbajë formën dhe linjat e trupit. Edhe ushqimi është i përzgjedhur. Pra, janë një varg faktorësh dhe një përkushtim i madh prapa dukjes time.

IMG_0487

Së fundmi, ke realizuar një set fotografish mahnitëse me Enis Abdullahun në Swiss Diamond Hotel në Prishtinë.
Ju falënderoj për vlerësimin. Kam marrë komente jashtëzakonisht të mira. Kam dashur t’i gërshetoj fotot me projektin, me ngjyra të ngrohta. Jam e kënaqur. Janë disa ide të reja në plan. Me këtë rast e falënderoj edhe Enisin, një fotograf i jashtëzakonshëm që po bën projekte të shkëlqyeshme.

Angazhime pune, po angazhime për veten, një lidhje dashurie ndoshta?
Pyetja më e shpeshtë që e marr. Po e zbuloj se jam ‘single’.

Të vardisen meshkuj të estradës. Ka prej tyre që kanë dashur të kenë kontakt me ty dhe një afërsi më të madhe?
Ka pasur… por nuk e di. Nuk i vlerësoj njerëzit në aspektin e asaj janë të famshëm apo jo, janë të pasur apo jo, me rëndësi të jetë muhabeti i mirë, të jetë person ‘cool’. Ka pasur të tillë që më kanë shkruar por, ka mbetur vetëm me kaq…

Cili është projekti i radhës?
Do të jetë ose duet, ose një projekt pak më i rrezikshëm në aspektin e tentimit të thyerjes së barrierave nga ana ime. Jemi në fazën e punëve dhe të analizave… do të vendoset shumë shpejt dhe do të vij shumë shpejt me projektin e radhës. Falënderoj të gjithë mbështetësit për përkrahjen!

Loading...
Shpërndaje